Çifti Ned Spiecker nga SHBA dhe Jorid Spiecker nga Norvegjia, të dy bashkëthemelues të Lëvizjes “Java e Martesës”, kanë treguar njohjen me njëri-tjetrin 30 vite më parë në Vlorë.

Në rrëfimin e tyre për emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews, ata thanë se kanë ardhur në Shqipëri në vitin 1993, kur situata në vendin tonë ishte e vështirë.

Por pavarësisht vështirësive, ata deklaruan se janë mirënjohës për jetesën në vendin tonë dhe i cilësuan shqiptarët si shumë mikpritës.

“Jemi njohur në Vlorë, kemi ardhur veç e veç dhe jemi njohur në Vlorë dhe jemi shumë mirënjohës për këtë gjë. Erdhëm në vitin 1993, situata ishte pak e vështirë. Në fillim u habita me situatën, sepse nuk besoja se në një vend europian mund të ishin aq keq. Por u habita nga mikpritja e tyre. Edhe kur kishin pak, gjithmonë e shtronin tryezën. Tani që kemi më shumë, nuk shtrojmë aq shumë fatkeqësisht”, tha Jorid Spiecker.

“Ne ishim të rinj dhe në njëfarë mënyre ishte aventurë. Isha 26 vjeç. Erdhëm me një mision dhe besoj se kishim një thirrje nga Zoti që jemi në vendin e duhur. Ndjenim një paqe, edhe kur prisnim në radhë për bukë, ishte një eksperiencë e veçantë, që nuk mund ta harrojmë”, tha Ned Spiecker.