Kolegji Zgjedhor Gjyqësor me shumicë votash vendosi sot rrëzimin e padisë së Partisë Demokratike, përfaqësuar në seancë nga Indrit Sefa kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

 

Vendimi u mor nga trupa gjykuese e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, e përbërë nga gjyqtarët: Sokol Ibi (relator); Manjola Xhaxho (anëtare); Edlira Petri (anëtare); Esmeralda Xhili (anëtare); Alma Kolgjoka (anëtare).

 

Vendimi është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim.

 

Objekti i padisë ishte shfuqizimi i vendimit të KAS “Për mospranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore të depozituar nga “Partia Demokratike e Shqipërisë”, si dhe shfuqizimi i vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, (BF) për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”.

 

Po ashtu kërkohej plotësimi i të metave nga ana e kërkuesit Partia e Lirisë duke ndryshuar Marrëveshjen e Koalicionit duke hequr Partinë Demokratike e Shqipërisë nga referimi në këtë dokument.

 

Objekti i padisë së mësipërme, kërkonte regjistrimin e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” (PL – PDK – PBDNJ) “BF”, si subjekt zgjedhor pjesëmarrës në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023 me parti pjesëtare të tij si më poshtë: ”Partia e Lirisë” (PL); “Partia Demokristiane e Shqipërisë” (PDK); Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ).