Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke diskutuar në lidhje me fletët e votimit për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Përfaqësuesi ligjor i PD së drejtuar nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar se në fletët e votimit demo të paraqitura nga KQZ, ka një problem.
Krahas koalicionit “Bashkë Fitojmë” nuk është vënë emri i drejtuesit të koalicionit, kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta.
Sefa u shpreh se me një fletë të tillë votimi po shkelet ligji.
“Ka ndodhur ndonjëherë në historinë e KQZ-së që në fletën e votimit kur kemi të bëjmë me një koalicion të mos jetë vendosur emri i kryetarit? Ekziston ndonjëherë një precedent të tillë? Sa për informacion me ndryshimin e Kodit në vitin 2020 ka ndryshuar edhe strukturimi i KQZ. Dhe Komisioneri sigurish që ka praktika të tjera”, deklaroi Sefa.
Një shpjegim në lidhje me ngjarjen e jep përfaqësuesi i PL, Kaziaj, i cili sqaroi se ekzistenca ose e emrit të Metës krah koalicionit, nuk ndikon pasi votohet programi jo emri i Metës.
“Nuk do të thotë që zgjedhjet i fiton kryetari i një partie politike por forca dhe programi që i fiton zgjedhjet”, tha ai.