Tridhjetë përfaqësues nga institucionet shtetërore dhe organizatat e shoqërisë civile u angazhuan, më 6 dhe 7 shkurt 2024, në hakatonin e parë kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri – një trajnim aktiv ku ata punuan së bashku për të zbuluar trafikimin e qenieve njerëzore në internet dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve.
Veprimtaria u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Zyrën e Përfaqësuesit Special dhe Koordinatorit të OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Nën drejtimin e ekspertëve ndërkombëtarë, mentorë në teknologjinë e informacionit dhe sigurinë kibernetike, pjesëmarrësit nga policia, shërbimet sociale, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) dhe organizatat e shoqërisë civile u angazhuan në zhvillimin e mjeteve për zbulimin e trafikimit dhe shfrytëzimit seksual në internet.
“Teknologjia mund të zhvillohet dhe të përdoret edhe për të ndihmuar në luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore në mjedisin online. Kjo është arsyeja pse ne duhet të shohim mundësi përtej sfidave dhe pikërisht ky është qëllimi i këtij trajnimi novator”, tha Clarisse Pasztory, kryetare në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, e cila foli në sesionin e hapjes krahas drejtorit të AKCESK-ut, Igli Tafa.
Qëllimi i hakatonit ishte rritja e ndërgjegjësimit për mënyrat se si keqpërdoret teknologjia në Shqipëri për të shfrytëzuar viktimat, veçanërisht fëmijët. Ai synoi, gjithashtu, të identifikonte platformat dhe faqet e internetit që janë veçanërisht të ekspozuara ndaj rreziqeve të trafikimit të qenieve njerëzore dhe të ofronte një pasqyrë se si shfrytëzohen ato nga trafikantët.
Përveç kësaj, hakatoni shërbeu për të ngritur një rrjet ekspertize për të adresuar trafikimin e qenieve njerëzore përmes teknologjisë duke përdorur metodologjinë e të mësuarit duke punuar, që i jep përparësi procesit të të nxënit përkundrejt teorisë dhe duke testuar njohuritë dhe kapacitetet e pjesëmarrësve në një mjedis të drejtpërdrejtë online për të zbuluar faqet e internetit dhe platformat e mediave sociale që rekrutojnë viktima për shfrytëzim seksual./ata