Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me presidenten e Bankës Europiane të Investimeve, Nadia Calvino.

Rama, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Luksemburg, bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua lidhur me mbështetjen financiare e teknike për Shqipërinë dhe rajonin.

Kryeministri Rama ishte pjesë edhe e panelit “Rruga drejt zgjerimit”, mbi rolin që institucionet më të rëndësishme financiare mund të luajnë në rrugën drejt integrimit në BE.

“Në Bankën Europiane të Investimeve për të rritur mbështetjen financiare e teknike ndaj Shqipërisë dhe rajonit, si edhe në panelin e organizuar nga BEI për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, ku Shqipëria ishte e ftuar si një shembull suksesi e këtij procesi në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama u takua dhe me kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden, të cilin e konsideroi një mbështetës të vendosur të integrimit të Shqipërisë në BE.

Rama tha se gjatë takimit me kryeministrin Frieden ndër të tjera ranë dakord për zbatimin e marrëveshjes së heqjes së tatimit të dyfishtë pas daljes së Shqipërisë nga lista gri, si dhe folën për rritjen e mëtejshme të numrit të turistëve luksemburgas në Shqipëri./ata