Nga Erblin Jaku

Gjatë viteve të fundit, emigracioni nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar ka pësuar ndryshime të rëndësishme, të ndikuar nga faktorë ekonomikë, politikë dhe socialë.

Për vite me radhë, numri i njerëzve që migronin nga Shqipëria në Britaninë e Madhe dhe pjesë të tjera të Evropës po rritej vazhdimisht, i nxitur kryesisht nga gjendja e vështirë ekonomike. Individët udhëtuan për të kërkuar mundësi më të mira punësimi dhe standarde jetese në Mbretërinë e Bashkuar, të motivuar nga stabiliteti politik i perceptuar i vendit dhe premtimi për një të ardhme më të sigurt.

Shqiptarët u shfaqën për herë të parë në mënyrë dramatike në statistikat e vitit 2022 ku 12658 emigrantë nga Shqipëria u futën në Britaninë e Madhe. Megjithatë të dhënat nga Ministria e Brendshme (Home Office) e Mbretërisë së Bashkuar për periudhën 2018 – shtator 2023 tregojnë se në total janë 14419 shqiptarë që kanë hyrë në mënyrë të parregullt në Britaninë e Madhe ose 13.1% e totalit të të gjithë emigrantëve gjatë kësaj kohe. Në listën e vendeve me më shumë emigrant janë Irani (20601), Afganistani (15934), Iraku (14884) dhe pas tyre vjen Shqipëria. Ndërkohë gjatë viteve 2018-2021 ishin vetëm 898 emigrantë nga Shqipëria. Vlen të theksohet se gjatë kësaj kohe, duke përjashtuar vitin 2022, shqiptarët vetëm një herë janë në grupin e pesë vendeve me më shumë emigrantë të paligjshëm. Ky fakt e përforcon bindjen se viti 2022 ishte vërtetë një vit i pazakontë dhe në këtë kontekst ata nuk mund të jenë simboli kryesor i identifikimit të emigrantëve të paligjshëm. Gjatë vitit 2023 deri në muajin shtator janë regjistruar vetëm 863 kalime ilegale nga shqiptarë, një rënie drastike nga të dhënat e periudhës paraardhëse. Nuk mund të mbajnë përgjegjësinë kryesore shqiptarët të cilët vetëm në një situatë të jo normale, ndoshta post Covid, dhe sigurisht nga gjendja e vështirë ekonomike e sociale emigruan në mënyrë masive drejt Anglisë. Fakti që rënia është gati 90% gjatë viti 2023 tregon se ne nuk jemi një vendburim emigrantësh të paligjshëm dhe fryma e ngritur kundër shqiptarëve në Angli nuk përkon me shifrat reale të emigrantëve të paligjshëm gjatë pesë viteve të fundit.

Ndërkohë politikat e rrepta të zbatuara së fundmi nga qeveria britanike kanë ndikuar ndjeshëm modelin e migracionit nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Këto ndryshime shfaqen në disa fusha kryesore:

Reduktim i rrugëve legale të emigrimit: Politikat më të rrepta kanë çuar në zvogëlimin e numrit të rrugëve ligjore të disponueshme për shqiptarët për të emigruar drejt Mbretërisë së Bashkuar. Kjo përfshin kontrolle më të forta të vizave, lejeve të punës dhe aplikimeve për azil.

Shqyrtimi i kërkesave për azil: Ka pasur një ndikim të dukshëm në kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë. Politikat më të rrepta nënkuptojnë një shqyrtim më rigoroz të pretendimeve të tilla, duke çuar shpesh në një shkallë më të lartë refuzimi.

Marrëdhëniet dypalëshe: Këto ndryshime mund të ndikojnë gjithashtu në marrëdhëniet diplomatike dhe bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht në fusha si kontrolli i kufijve, bashkëpunimi me forcat e rendit dhe menaxhimi i imigracionit.

Gjithashtu ka një rritje në numrin e shqiptarëve që kthehen në vendlindje. Të dhënat për periudhën shtator 2022 – shtator 2023, tregojnë se Mbretëria e Bashkuar përjetoi një rritje të konsiderueshme në kthimet e detyruara të shtetasve të huaj, me shifrat që arritën në 5,506. Kjo shënon një rritje të ndjeshme prej 54% nga një vit më parë, ku numri ishte 3,569. Një aspekt i dukshëm i kësaj rritjeje është roli mbizotërues i shtetasve shqiptarë, të cilët përbëjnë mbi gjysmën (52%) të rritjes. Në të njëjtin kohë, kjo periudhë ka njohur një rritje të fortë në kthimet vullnetare nga Mbretëria e Bashkuar, me numrat që shkojnë në 17,301 – një rritje prej 74% krahasuar me vitin që përfundoi në shtator 2022, ku kishte 9,921 raste të tilla.

Reduktim i atyre që largohen nga Shqipëria dhe rritja e atyre që kthehen është një lajm i mirë për vendin tonë. Tendenca e fundit e migracionit ka ndikuar ndjeshëm në ekonominë e Shqipërisë. Largimi i një pjesë të madhe të fuqisë punëtore rezultoi në ikjen e trurit dhe mungesë të punëtorëve në sektorë të ndryshëm. Ky fenomen gjithashtu ka dobësuar brezin e ri, të cilët janë vendimtarë për zhvillimin dhe të ardhmen. Zbatimi i këtyre rregullave të reja më të rrepta mund të inkurajojë më shumë të rinj shqiptarë që të ndërtojnë jetën e tyre si dhe të krijojnë biznese që kontribuojnë në rritjen dhe mbështetjen e komuniteteve dhe ekonomisë sonë lokale.

Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore nëpër Evropë. Kjo nismë u nxit nga një përkrahje e fortë nga Giorgia Meloni (Itali) dhe Rishi Sunak (MB) gjatë një samiti të 47 liderëve evropianë në Spanjë. Strategjia u zhvillua në samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Granada, me figura kyçe duke përfshirë kryeministrat e Italisë dhe Britanisë së Madhe, Ursula von der Leyen (Presidente e Komisionit Evropian), Emmanuel Macron (Francë), Mark Rutte (Holandë) dhe Edi Rama (Shqipëri).