“Korça në foto” titullohet ekspozita e koleksionistit korçar Mirgen Shamblli, e cila është çelur tek Pazari i Vjetër me foto dhe kartolina nga qyteti i Korçës. Imazhet e rralla të qytetit, datojnë nga vitet ’20 deri në vitet ’80.

Rreth 800 foto të shkrepura ndër vite pasqyrojnë qytetin dhe jetën në të, pamje dhe disa prej godinave të cilat nuk ekzistojnë më, si zona e Mitropolisë, Shën Gjergji e shumë objekte të tjera.

Kjo ekspozitë e veçantë e cila do të vijojë të jetë e hapur ka ngjallur interes tek qytetarët, për t’u njohur me pamje të ndryshme e për të kujtuar si ka qenë Korça e atyre viteve. Vizitorët do të kenë mundësi të shohin në foto lumin dhe urat e tij, qendrën e qytetit, parkun rinia, zonën e kinemasë dhe bulevardin, Shën Mërinë, xhamitë e qytetit, stadiumin, pazarin me rrugicat etj.

“Korça në foto” do të jetë një cikël me tri ekspozita, gjatë muajit shkurt, i cili nëpërmjet fotografive dhe kartolinave do të nxjerrë në dritë imazhet e harruara të qytetit./ata