“Vajza ime është shumë e kënaqur, mezi pret të vijë e të luajë! Nuk e di nëse do të isha kaq e kënaqur në një vend tjetër, pasi mjediset e çerdhes janë shumë të përshtatshme dhe na i plotësojnë të gjitha pritshmëritë tona si prindër. Kur të vijë momenti që të shkojë në kopsht, shpresoj që të përshtatet në të njëjtën mënyrë sikurse këtu. Çdo ambient është perfekt! Si prind jam me të vërtetë e lumtur që Dorotea është në këtë çerdhe dhe shumë mirënjohje ndaj “EU4Schools” që ka mundësuar kushte të tilla bashkëkohore për komunitetin tonë.”

Kështu shprehet Anisa, e cila ka vajzën e saj në Çerdhen Nr. 4 “Pranverë” në Paskuqan të Kamzës, një objekt arsimor i ndërtuar nga e para falë Programit “EU4Schools”/“BE për Shkollat”.

Nga ndërtimi i Çerdhes Nr. 4 “Pranverë” në Kamëz përfitojnë drejtpërdrejtë 60 fëmijë, 8 pjesëtarë të stafit mësimor dhe rreth 5000 banorë të komunitetit.

Ky institucion është një prej 53 objekteve arsimore të rindërtuara apo riparuara deri tani në kontekstin e “EU4Schools”, teksa 9 objekte të tjera janë aktualisht në proces rindërtimi apo riparimi.

Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milionë euro dhe zbatohet nga UNDP Albania.

Projekti po rindërton ose riparon 60+ objekte arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, me përfitues të drejtpërdrejtë 25000 nxënës, mësues dhe fëmijë./ata