Historia e jashtëzakonshme në Tiranë e një prej artistëve më të njohur europianë, tashmë ka ardhur në një libër, shkruar nga akademiku Vasil S. Tole. Mes notash e rreshtash, zbulohet një tablo tjetër e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore, ku kultura dhe arti ravijëzojnë një nivel të lartë për kohën. Promovimi i librit “Kompozitori Bojan Adamič në Shqipëri” me autor akad. Vasil S. Tole u organizua në Hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, Ambasada e Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Ambasadori i Sllovenisë, Peter Japejl e vlerësoi librin e akad. Vasil Toles si një vepër magjepsëse për këtë periudhë të veçantë të historisë sonë të përbashkët.

Ndërsa dr. Arian Leka e vlerësoi librin për dëshmitë e veprës mbështetur në zëra të gjerë arkivistikë e bibliografikë, shumica e të cilave i shfaqen lexuesit për herë të parë, e që janë pjesë e kërkimeve sistematike të autorit për qartësimin e marrëdhënies së shqiptarëve me kulturën e tyre muzikore dhe hapjen ndaj botës.

Në këtë promovimin ishte e pranishme edhe Alenka, vajza e kompozitorit Bojan Adamič, e cila u shpreh se, tashmë Shqipërinë e konsideron si shtëpinë e saj. “Ndihem e nderuar, sepse jam në atdheun që babai im e admironte shumë dhe kjo dukej në letrat që i dërgonte nënës sime”, u shpreh vajza e kompozitorit.

Bojan Adamič ishte një figurë e rëndësishme e kulturës europiane. Kompozitori i shquar slloven Bojan Adamič ka punuar ne Shqipëri në vitet 1947-1948 si pianist, orkestrues dhe kompozitor, pranë Orkestrës se Radio Tiranës dhe orkestrës se hotel Dajtit.

“Adamič e jetoi Shqipërinë e asaj periudhe me gjithë pasionin e madh të një artisti që kërkon të jetojë e të bëjë vepra që tashmë janë pjesë e një rrugëtimi të historisë së muzikës shqiptare”, tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL./ata