Kredia për shtëpi u rrit për të katërtin vit radhazi në 2023.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për blerje banesash arriti në vlerën e 48.5 miliardë lekëve ose rreth 466 milionë eurosh.

Kredia e re për banesa u rrit me 5.2% krahasuar me vitin 2022.

Sipas BSH-së, vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2022 arriti në pothuajse 177.2 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 6.3%.

Ekspertët shprehen se, normat relativisht të ulëta të interesit kanë bërë që kredia për shtëpi të rritet sidomos në monedhën vendase.

Kredia e re për shtëpi në Lekë vitin e kaluar arriti në 30.2 miliardë lekë, në rritje me 36% krahasuar me një vit më parë. Kredia në monedhën vendase përbënte më shumë se 62% të disbursimeve të reja për këtë produkt./ata