Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në paraqitjen e tij të parë në OKB, përballë presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Serbia ka urdhëruar dhe kryer gjenocid në Kosovë dhe Srebrenicë.
Ndër të tjera Kurti ka shprehur me krenari se Kosova ka garantuar plotësisht të drejtat e pakicave, duke përfshirë dhe ato të komunitetit serb.
“Të gjitha këto janë pretendime të pavërteta të persekutimeve nga një vend që është i njohur që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit 20. Kosova doli nga lufta si simbol i luftës për dinjitet dhe triumf i të drejtave të njeriut. Nuk kemi qenë të trishtuar, kemi ndërtuar vetën në një shoqëri shumë-etnike dhe shumë-kulturore me një shtet që sheh përpara dhe është solid demokratik. Çerekshekulli pas luftës qëndrojmë krenarë si Republikë për të gjithë, shoqëri shumë-etnike për të gjithë. Me krenari themi që e zbatojmë Kushtetutën me masat më të larta të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, 20 ulëse të garantuara në parlament nga 120 në total, prej të cilave 10 janë të serbëve veçanërisht. Serbët në Kosovë kanë po ashtu 10 nga 38 komunat në Kosovë. Gjuha serbe është gjithkund gjuhë zyrtare. Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitet serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata ndërkombëtare”,-është shprehur Kurti.
Kryeministri kosovar nuk ka hezituar të shpalosë në selinë e OKB-së diskriminim që u bëhet shqiptarëve nga Serbia, nëpërmjet kryetarëve të saj, në komunat e Medvegjës dhe Bujanocit.
“Të fokusohemi te trajtimi nga Serbia i shqiptarëve etnikë atje sot. Fushata e spastrimit etnik që bëhet në mënyrë administrative... Qeveria serbe sistematikisht i ka hequr mbi 4 mijë e 200 shqiptarë etnikë nga regjistri civil në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Bujanoc. Kjo shlyerje e njerëzve ka pasoja të prekshme, viktimat nuk kanë qasje më në letërnjoftime, pasaporta, shërbime mjekësore, ndihmë sociale, transaksione pronësore, pensione dhe të drejta votimi, pra i bën ata të jenë pa shtet. Kjo fushatë është metodë e shpopullimit të shqiptarëve atje”,- ka theksuar ai.
Në fjalën e tij, Kurti hodhi poshtë dhe akuzat e ndryshme ndaj vendimit të Kosovës për ndalimin e dinarit serb në tregun e saj.
“Tani flasim për rregulloren e BQK-së. Rregullorja nuk bën asgjë, as nuk e ndalon e as nuk e pengon Qeverinë e Serbisë që të ofrojë ndihmë financiare për serbët e Kosovës. Gjithçka tjetër është propagandë e rrejshme dhe nxitje e tensioneve. Rregullorja sjell ligjshmëri të importit të parave në Kosovë në përputhje me kushtetutën dhe politikën monetare të BE-së”,- është shprehur Kurti.
Ai ka mbyllur fjalën e tij duke ftuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiç për mosnënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit nga ana e Serbisë dhe ka akuzuar këtë të fundit se nuk po respekton pikat për të cilat janë dakordësuar.
“Serbia refuzon dy detyrime kyçe, që të mos pengojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të mos respektojë integritetin territorial. Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është vetëm formalitet është edhe garanci për implementimin e saj të plotë dhe të pakusht, edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Përkundër ofertave të mia të përsëritura, z.Vuçiç ka refuzuar të nënshkruajë, e ftoj të nënshkruajë këtu sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën”,- ka thënë Kurti.