Katari njoftoi se deri më tani ka dhënë një ndihmë prej rreth 70 milionë dollarë për të prekurit nga tërmeti në Türkiye dhe Siri.

 

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari njoftoi se ndihmat humanitare ushqimore, shëndetësore dhe të tjera që Katari ka dhënë për të prekurit nga tërmeti në Türkiye dhe Siri kanë arritur në 253 milionë riyal (70 milionë dollarë).

 

Ai tha se vazhdojnë punimet në terren me qëllim për të dhënë mbështetje ndaj punimeve të kërkim-shpëtimit në rajonet e tërmetit dhe për të rritur moralin e të prekurve nga tërmeti.

 

"Në fushatën 'Ndihmë dhe Mbështetje' që filloi për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti, vetëm në një natë u mblodhën 168 milionë riyal (46 milionë dollarë)", theksoi Al-Ansari i cili shtoi se ndaj kësaj fushate ka dhënë mbështetje me 50 milionë riyal (14 milionë dollarë) edhe Emiri i Katarit, Tamim bin Hamad Al-Thani.

 

"Deri më sot janë kryer mbi 30 fluturime ku janë transportuar mbi 600 tonë ndihma ushqimore, shëndetësore dhe humanitare. Janë dërguar 650 nga 10 mijë karavanët që janë planifikuar për t'u dorëzuar sa më shpejt të jetë e mundur në portet e Türkiye-s", tha Al-Ansari.

 

Lidhur me ndihmat e Katarit për popullin e Sirisë, Al-Ansari tha se Fondi i Katarit për Zhvillim u ka dhënë njësive të Mbrojtjes Civile të Sirisë mbështetje për aktivitetet e ndihmës dhe punimet e kërkim-shpëtimit për të prekurit nga tërmeti.

 

Zëdhënësi Al-Ansari tha se ka pasur disa vështirësi logjistike për dërgesat në disa rajone në veri të Sirisë. Sipas tij, Katari ka bërë përpjekjet më të mundshme për të dhënë mbështetje ndaj punimeve të kërkim-shpëtimit dhe për të eliminuar problemet e personave të prekur nga tërmeti./AA