Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock dëshiron të promovojë hapa të mëtejshëm drejt anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE gjatë vizitës së saj në vendin ballkanik.

 

Takimi i Baerbockut dhe homologut të saj, Bujar Osmani është planifikuar për sot. Më vonë, ajo ka në plan të takohet me përfaqësues të tjerë të qeverisë, opozitës dhe parlamentit.

 

”Maqedonia e Veriut është një vend kyç për procesin e zgjerimit të BE-së”, sipas Ministrisë së Jashtme gjermane.

 

Gjatë bisedimeve të saj në Shkup, Baerbock dëshiron gjithashtu të promovojë miratimin e një amendamenti kushtetues.

 

Ky amendament, i kërkuar me forcë nga Bullgaria anëtare e BE-së, është një parakusht për hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Brukselin.

 

Amendamenti njeh statusin e pakicës bullgare prej rreth 3 000 personash në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

 

Vendi, i cili ka një popullsi prej dy milionë banorësh, ka qenë kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2005.