Ushtria izraelite ka njoftuar se të paktën 30 raketa ranë në Galilenë e Epërme në Izraelin verior, të cilat sipas tyre ishin lëshuar nga Libani jugor.

Mbrëmë vonë, radioja e ushtrisë izraelite raportoi se rreth 30 raketa ranë në një zonë të hapur në malin Hermon, në Galilenë e Epërme.

Nuk u raportua për persona të lënduar, por në zonë u aktivizuan sirenat.

Dje, intensiteti i bombardimeve ndërkufitare midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut libanez u rrit përgjatë kufirit dhe zonave të afërta midis dy palëve.

Në të njëjtën ditë, ushtria izraelite njoftoi shënjestrimin e një numri objektivash të lidhura me Hezbollahun në Libanin jugor, si dhe sulmin izraelit me dron ndaj një makine në qytetin jugor të Nabatieh.

Tensionet janë përshkallëzuar përgjatë kufirit midis Libanit dhe Izraelit mes shkëmbimeve të vazhdueshme të zjarrit midis forcave izraelite dhe Hezbollahut që nga fillimi i tetorit.

Tensionet kufitare vijnë në mes të ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, në të cilat kanë mbetur të vrarë të paktën 27.947 palestinezë dhe 67.459 të tjerë të plagosur.

Pas padisë për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) vendosi më 26 janar se Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim në lidhje me vrasjet, sulmet dhe shkatërrimin e banorëve të Gazës, si dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocidin./aa