Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u tha zyrtarëve izraelitë gjatë vizitës së tij se përkundër qëllimeve të deklaruara të Tel Avivit, është e pamundur të eliminohet plotësisht Hamasi, thanë mediat izraelite të mërkurën.

Gjatë një takimi me kabinetin izraelit të sigurisë, Blinken paraqiti kërkesën e SHBA-së për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete si një vizion për Gazën e pasluftës, tha "Channel 13" izraelit.

Ashtu si Izraeli që ka aspirata, edhe palestinezët kanë aspiratat e tyre dhe Izraeli duhet ta pranojë këtë, u tha Blinken ministrave të kabinetit, gjithnjë sipas "Channel 13".

Zyrtarë të lartë izraelitë i thanë medias izraelite se mesazhi i Blinken ishte se "nëse zgjidhja me dy shtete nuk paraqitet si vizion, Izraeli nuk do të përparojë politikisht, as në aspektin e normalizimit me Arabinë Saudite".

Që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor, pas sulmit të befasishëm të grupit palestinez Hamas, Izraeli ka përsëritur vazhdimisht se synon të eliminojë Hamasin.

Në sulmet në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, Izraeli ka vrarë mbi 23.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur rreth 60.000, së bashku me bllokadën drakoniane për furnizimet shumë të nevojshme.

Blinken mbërriti në Izrael të hënën për vizitën e tij të katërt që nga fillimi i luftës kundër Gazës, në kuadër të turneut të tij rajonal që filloi javën e kaluar në Türkiye. Ai gjithashtu ndaloi në Bregun Perëndimor palestinez, Arabinë Saudite, Jordani, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe./aa