Kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit “Administrata 2030”, u bëri thirrje punonjësve të administratës që angazhimi i tyre të jetë maksimal për të arritur objektivin madhor që flamuri i vendit tonë të jetë në krah dhe i barabartë me flamujt e vendeve të para që kemi parë me admirim.
Rama, në fjalën e tij theksoi se sfidat që ka administrata publike në rrugën e integrimit janë të shumta, ndërsa shtoi se lufta ndaj korrupsionit nuk lidhet vetëm me drejtësinë, por në radhë të parë me kulturën.
“Kjo është e lidhur edhe me të qenit të vetëdijshme se administrata publike ka një rol parësor dhe sa i takon mirëqeverisjes. Mirëqeverisja nuk ka lidhje vetëm me se si qeveris qeveria, por se si shërbehet qytetari, se si garantohet merita, konkurrenca dhe këto nuk i bën realitet në jetën e njerëzve qeveria, por e gjithë struktura njerëzore, pra e gjithë makina e shtetit. Këto bëhen realitet në të gjitha dyert ku shteti dhe qytetari ndërveprojnë”, tha Rama.
“Po ashtu, ne duhet jemi shumë të vetëdijshëm që pjesë e këtij misioni duhet të jetë dhe antikorrupsioni. Antikorrupsioni nuk është një luftë e drejtësisë thjesht me personat e korruptuar, apo me praktikat korruptive. Antikorrupsioni është një sjellje, është një kulturë shërbimi. Antikorrupsioni është vetëdije që secili dhe secila prej jush ka një rol, në klimën e atij institucioni dhe klimën institucionale të Shqipërisë, që predikimi im të mos jetë shumë i gjatë, dua ta mbyll duke iu thënë që qëllimi ynë është që të krijojmë në çdo hapësirë të administratës një klimë të re sepse kur thyhen një rekord, dhe ne kemi thyer një rekord me kalimin me sukses të radiografimit dhe me hyrjen në fazën e re të negociatave, duhet që të nesërmen të gjesh forca të reja brenda vetes për të shkuar më tutje”, tha Rama.
“Dhe forcat e reja i gjen duke parë me sy kritik se çfarë mund të bësh më mirë se çfarë ke bërë. Ka shumë procese të tjera, ndërveprime të tjera, sektorë që kërkojnë sektorë, janë kaq shumë ligje që jo vetëm duhen miratuar, por dhe zbatuar siç duhet, saqë ne duhet të jemi gjithnjë e më në formë”, shtoi Kryeministri.
“Dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme. Është themelore. Është A dhe ZH e procesit, pasi të tjerat janë në mes, që çdokush që hynë në mëngjes në derën e institucionit ta ndjejë peshën e flamurit kuqezi i cili rrethin e flamujve në sheshin përpara institucionit përpara në Bruksel. E kemi në dorë vetëm ne, secili dhe secila prej nesh. Dhe këtë klimë të re, ne duhet ta kemi me domosdo. Kjo klimë e re ka nevojë për përfshirjen tuaj. Ne do bëjmë çmos që ju të jeni të përfshirë përtej punës në atë kuadratin që keni në organigramën tuaj, në procesin e krijimit të një fryme të një skuadre, të një skuadre të madhe që shumëkush nuk e njeh, që gjithë bashkë njohim se cili është qëllimi ynë, qëllimi më i lartë, më i madh dhe më fisnik i mundshëm”, tha Rama.
“Ta shkulim Shqipërinë nga kthetrat e një historie të stërzgjatur, për të qenë shteti dinjitoz i çdo shqiptari dhe ta ngulim flamurin e vendit tonë në të njëjtën lartësi, në të njëjtin nivel dhe në një rresht bashkë me flamujt e tjerë të vendeve që kemi parë me admirim, pasi në radhë të parë kanë shtete dinjitoze për qytetarët e tyre”, tha kreu i qeverisë.
Sipas Ramës, më të rinjtë këtu ia kanë borxh prindërve, gjyshërve.
“Ia keni borxh shtetit tuaj, që juve jua ka njohur meritën, jua ka dhënë mundësinë dhe ju jep me aq sa mundet dinjitetin që të tjerë të rinj si ju kërkojnë ta kenë dhe jo gjithnjë për arsye të pamjaftueshëm nuk e kanë. Dhe ju duhet të angazhoheni më seriozisht nga të gjithë për këtë klimë të re për një përkushtim më të madh në punën e përditshme në shërbim të institucionit ku jeni dhe këtij shtetit. Jeni shumë vonë ju për të menduar të ikni. Më besoni, po ikët, mos kujtoni që keni për zgjedhjen e gabuar, por jeni shumë herët për të mos e parë me shumë optimizëm se çfarë mund të jetë Shqipëria falë edhe jush, jo mbas 100 vitesh, por brenda dhjetë vitesh, kur ju do jeni ende në shërbim të shtetit, do keni dhe shumë kohë që ta shihni atë që gjyshërit, prindërit tuaj, as guxonin ta ëndërronin ta shihnin”, tha Rama.
“Të jeni të sigurtë që në fund kjo botë është e atyre që guxojnë, e atyre që rezistojnë, kjo botë është e atyre që në vend që të gjejnë justifikime e arsye për t’ia lënë fajin të tjerëve, është atyre që nuk harxhojnë kohë as me justifikime apo duke ia lënë fajin të tjerëve, por shohin përpara, dhe çdo rrëzim nuk e shohin si arsye për t’u dorëzuar e për të thënë: “Që s’bëhet ky vend, mër lale”, por e marrin si një arsye më shumë për të vazhduar kokëfortësish për të realizuar atë që kanë në kokë. Adea, ti je kryeministre e Administratës Publike. Për Administratën Publike të gjithë ministrat janë vartësit e tu, unë jam zëvendësi yt”, tha Rama./ata