Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se renditja e Shqipërisë në vendin e parë për kapitalin njerëzor të administratës publike nga SIGMA, e kishte bërë të ndjehej krenar, edhe pse e kishte parë me skepticizëm këtë vlerësim. Por procesi i screening, në Bruksel, tha Rama, tregoi se ai vlerësim ishte objektiv.
“Ne kemi një problem me vlerësimin e performancës së administratës publike, sepse ka shumë vlerësim me pikët më të larta për shumë njerëz, por nuk ka mundësi të jetë kështu, sepse do na duhet të pranojmë se administrata jonë ka një eficiencë në punë, të barabartë me Apple, Google e me kompanitë më të mëdha të ekselencës. Ne e dimë që kjo nuk është e vërtetë”, u shpreh ai, në konferencën për energjizimin e administratës publike, me qëllim rritjen e profesionalizimit e performancës, duke fuqizuar mirëqeverisjen, rendin ligjor dhe antikorrupsionin.
Rama tha se ai pikëzim ka shumë rëndësi për ata që punojnë, siç ka edhe për shumë të rinj që hyjnë në administratë, që duan ta shikojnë veten më lart, falë meritës, dhe jo të ndjehen sikur do të presin pensionin e pleqërisë aty, në po atë zyrë, gjithmonë duke parë disa të tjerë që hyjnë lart dhe dalin lart, ndërsa poshtë nuk lëviz asgjë.
“Do të angazhojmë së bashku me ministren për Administratën dhe anëtarë të kabinetit një ekspertizë të nivelit më të lartë ndërkombëtar, jo vetëm të BE-së që nuk ka munguar. Është shumë krenari për ne. Unë e kam parë edhe me skeptizicim, që misioni i SIGMA-s që financohet nga BE, e nxorri Shqipërinë në vendin e parë për 2021 për kapitalin njerëzor të administratës publike. E kam parë me spekticizëm, sepse kam thënë që kemi dalë të parët mes qametit. Po jo! Procesi në Bruksel tregoi se ai vlerësim ishte objektiv dhe se administrata jonë është një aset i jashtëzakonshëm, që ka një potencial të jashtëzakonshëm”, u shpreh Kryeministri.
Rama theksoi se duhet të fokusohemi tek anëtarësimi i vendit në BE./ata