Kuvendi ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve nga radhët e avokatisë dhe nga shoqëria civile, për plotësimin e 3 vendeve vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe 3 vendeve vakante në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Lista përfundimtare u publikua të hënën 20 maj dhe janë skualifikuar nga gara 6 kandidatë duke ndryshuar dhe listën renditëse të pikëzimit të bërë nga komisioni ad-hoc i ngritur nga Avokati i Popullit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit Genci Gjonçaj në bazë të të drejtës që i njeh Kushtetuta ka skualifikuar nga gara kandidatët Përparim Kalo, Alban Alimema, Fatos Lazimi, Entela Shehaj (Memishaj), Saimir Vishaj dhe Alban Tushe.

Sipas arsyetimit të Kuvendit, ata kryesisht nuk plotësojnë kriteret ligjore, kryesisht pasi nuk justifikojnë punën e pandërprerë si avokat në 10-vitet e fundit apo për ‘detyrime tatimore”.

Ndër emrat që është skualifikuar është edhe Entela Shehaj (Memishaj), e kandiduar nga avokatja e familjes Berisha, Erinda Ballanca. Memishajn u skualifikua për mosplotësimin e kriterit të vjetërsisë në profesionin e juristit për 15 vite.

Shqiptarja.com zbuloi se emri i Entela Shehajt është i lidhur direkt me atë të Ismail Mulletit, biznesmeni i njohur për lidhjet e shumëfishta me Partinë Demokratike, dhe që nga dokumentat rezulton se i ka paguar në 2008 plot 350.000 euro Shkelzen Berishës për një aferë imobiliare shumë të dyshimtë. Personazhi kyç, me anë të cilit Mulleti i ka dhënë si bakshish Shkëlzen Berishës, në dy pagesa, 200 mijë euro dhe 150 mijë euro, është pikerisht Entela Shehaj Memishaj. (Lexo Investigimin e plotë)

Në listën përfundimtare që i paraqitet Komisionit të Ligjeve, nga e cila do të përzgjidhen 2 anëtarët e rinj në KLGJ në vendin e parë renditet Eris Hysi e ndjekur nga Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Klodian Gjermeni, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola.

Ndërsa listën e kandidatëve për dy vende në KLP e kryeson Erind Mërkuri ndjekur nga Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri e Saimir Kola./Shqiptarja