Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha sot nga kuvendi zgjedhor i degës së PD të Krujës, se “ne marrim përsipër të ndërtojmë një qeverisje për njerëzit dhe me njerëzit”.

Sipas tij, pyetja që do të udhëheqë Partinë Demokratike është nëse një politikë i shërben apo jo shqiptarëve dhe nëse përgjigja është jo, atëherë kjo politikët nuk mund të ndiqet.

“Duke nisur nga taksat, që janë më të lartat”, tha Basha. “Do rriste nivelin ekonomik të mbi 800 000 shqiptarëve. Janë 230 shkolla të reja që do të ndërtoheshin me 460 milionë eurot që u dhanë për koncesionet”, vijoi Basha.

“Kruja është një qytet që njihet nga e gjithë Evropa, ka hyrë në legjenda për aftësinë e banorëve të tij për t’i qëndruar vështirësive më të mëdha që mund të rrok mendja njerëzore. Edhe vështirësitë që kemi kaluar këto 2 vite, janë pa asnjë dyshim vështirësitë më të mëdha, sfidat më të mëdha që mund të rrokte mendja e demokratëve 2 vite më parë. Dhe kuptimi i këtij kuvendi është që të ndërtojmë të ardhmen”, tha më tej Basha.

“Prandaj jemi sot këtu, sepse nuk mund t’i ikim misionit për të cilën jemi krijuar dhe për të cilin kemi sakrifikuar gjithçka. Është thirrja e fermerëve shqiptarë të braktisur nga një qeveri e korruptuar që pasi vodhi taksat e shqiptarëve, nuk hezitoi të vidhte edhe taksat e evropianëve që erdhën si subvencione për fermerët, por përfunduan në vila dhe resorte luksoze të pushtetarëve. Është thirrja e sipërmarrjeve të cilët prej 10 vitesh ndodhen nën zgjedhën më mizore të përfytyrueshme në Evropë. Është thirrja e prindërve shqiptarë që tani I shohin vatrat e tyre të boshatisura, fëmijët e tyre që kërkojnë të largohen. Është thirrja e edukatorëve të brezit të ri, e punonjësve të shëndetësisë, është thirrja e administratës që janë skllavëruar për t’i shërbyer një pushteti korruptiv. Dhe kësaj thirrje po i përgjigjemi që këtu nga Kruja, domethënia e të cilës është e pamohueshme për shqiptarët, por është po kështu e pamohueshme për PD”, vijon Basha.

“Partia Demokratike ndodhet në këtë sallë me një vullnet për t’iu kthyer idealeve për të cilat lindëm. Dhe ideali më kryesor është ai i lirisë. I lirisë politike, i lirisë ekonomike dhe i lirisë së gjithanshme. Gjëja e parë dhe parë dhe kryesore që duhet të bëjmë është t’iu themi shqiptarëve se si do ta nxjerri, Shqipërinë nga kontrolli absolut e përqendrimit politikë, e përqendrimit të pushtetit ekonomik në duart e një pakice absolute. Dhe kur në një anë kur kjo 13 politikanësh dhe oligarkësh pasurohen, në anën tjetër një shumicë shqiptarësh varfërohen. Njëra duhet ta lëshojë rrugën. Ose shumica e shqiptarëve, ose rruga tjetër dhe e vetme largimi i kësaj politike dhe i kësaj oligarkie”, tha Basha.

“Që kjo rrugë mos të përfundojë si rrugë qorre, duhet të bazohet në vlerat më të vërteta, në standardet europiane dhe euroatlantike me të cilat kemi qëndruar dhe kemi paguar koston më të lartë. Duhet të qëndrojmë në radhë të parë në një prekje reale të problemeve të qytetarëve, të dhimbjeve dhe halleve të tyre dhe të gjithë grupeve të interesit. Dhe së dyti në ofrimin e zgjidhjeve, zgjidhje të mundshme, të realizueshme dhe të mundur. Ky është programi i Partisë Demokratike të realizuar nga ekspertët më të mirë që ka Shqipëria, me asistencën e ekspertëve të aleatëve tanë strategjikë. Shumë shpejt ky program do të shpaloset në radhë të parë në forumet e PD dhe pastaj me grupet e interesit. Nuk ka më kohë vetëm të denoncojmë aferat e qeverisë, por të ofrojmë dhe zgjidhje për shqiptarët”, vijoi Basha.

“Këto dy vite errësirë të PD, ia vlejnë vetëm nëse Pd del e ndriçuar në mendje dhe në shpirt. E ndryshuar në radhë të parë me njerëzit. A jemi këtu për veten tonë për të parë se çfarë do kapim, kush një karrige deputeti dhe kush një karrige pushteti, kush ndonjë tender e kush ndonjë gjë tjetër? Atëherë jemi njësoj si ata që duam të largojmë. Apo jemi këtu pikërisht sepse ne marrim përsipër në emër të shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe për shumicën dërrmuese të shqiptarëve të ndërtojmë një qeverisje me njerëzit dhe për njerëzit. Dhe një qeverisje me njerëzit dhe për njerëzit, gjithçka që e bën duhet t’I qëndrojë një pyetje të thjesht: kjo që bëj soti shërben krutanëve? Kjo që bëj sot i shërben shqiptarëve? Nëse kjo pyetje nuk ka përgjigje, kthehu mbrapsht se je në rrugën e gabuar”, tha Basha më tej.

“Ju keni dëgjuar për aferën e inceneratorëve, mbi 460 milionë euro. 460 milionë euro është një shumë fantastike për çdo vend jo më për një vend të vogël si Shqipëria. Dhe ta përkthejmë këtë në 3 apo 4 vite subvencione që do të ndohmonin direkt për nxjerrjen nga varfëria dhe rritjen e nivelit ekonomik të mbi 800 000 shqiptarëve që jetojnë me bujqësi dhe blegtori. 460 milionë euro, janë 230 shkolla të reja. 460 milionë euro, janë të paktën 8 spitale sa QSUT-ja. 460 milionë euro, është përfundimi i të gjithë akseve rrugore të Shqipërisë duke përfshirë edhe rrugën historike Krujë-Tiranë. Por duke perifrazuar një shaka paksa vulgare që qarkullon në popull, në vend që t’I kemi të gjitha këto investime, kemi një tufë me hajdutë në krye që I kanë vjedhur këto para dhe vazhdojnë t’i vjedhin”, u shpreh ai.

Basha foli edhe për SPAK. “Ne si parti politike na takon që të japim mbështetje për SPAK që t’i japë fund pandëshkueshmërisë. Në qoftë se je kundër korrupsionit, atëherë duhet të jesh pro SPAK-ut. Deputetët që ndjekin çështjet e tërmetit më thanë që pallatet në Krujë kanë mbaruar, por nuk ua japin çelësat. Duan t’i zvarrisin deri sa të vijnë zgjedhjet e t’i mbajnë me gënjeshtra dhe nuk ua japin çelësat për të hyrë brenda atyre që iu shemb çatia mbi kokë. Duke i trajtuar këto ndërtime që janë bërë me taksat e shqiptarëve ose nga taksat e aleatëve tanë, i trajtojnë sikur janë pronë e tyre. Kjo është diçka e përbindshme që meriton jo vetëm revoltën, por edhe qëndrimin tonë në krah të çdo organizimi, qoftë ky edhe me denoncime në SPAK”, përfundoi Basha./ata