Ndonëse shumë të rinj shqiptarë që kanë zgjedhur të ndërtojnë jetën e tyre në vendet e perëndimit nuk e shohin si mundësi rikthmin në atdhe, mes tyre mund të gjejmë edhe nga ata, të cilët jo vetëm kthehen, por edhe investojnë në vendlindjen e tyre, duke sjellë një tjetër kulturë pune.
Një rast i tillë është evidentuar në fshatin Peshk të Martaneshit, ku i riu Dritan Grrica është kthyer nga Gjermania, duke investuar në mbarështimin e bagëtive të imta në fshatin e tij të lindjes.
I riu rrëfen se në fermën e tij ka mbi 200 krerë dhi, kujdesi për të cilat shoqërohet me vështirësi të mëdha, pasi fuqia punëtore ka rënë dhe i vetëm nuk mund të përballojë çdo proces të punës.
Një tjetër problem që vëren Dritani është edhe shitja e produkteve blegtorale, pasi çmimet e kërkuara nga pikat e grumbullimit me shumicë apo edhe nga qytetarët janë tepër të ulëta, krahasuar me koston e prodhimit. Gjithashtu, mungesa e një veterineri në zonën e tyre renditet ndër problemet më shqetësuese.