Grupe të shumta emergjence erdhën sot në qendrën sportive Monti Lessini pranë Verona në veri të Italisë, ku u lëshua papritur një re e gaztë e dyshuar si dezinfektues, gjatë një mësimi noti në pishinën publike që la të plagosur 25 persona, duke përfshirë dhe fëmijë në moshë parashkollore.

 

 

25 njerëz mes të cilëve dhe një fëmijë tre vjeç pësuan simptoma të helmimit të pashpjeguar, teksa policë, zjarrfikës e mjekë evakuan pishinën pas çlirimit të gazit.

 

Ministria e mbrojtjes tha se në vendngjarje u dërgua “një grup special zjarrfikësish për ndërhyrje në situata të jashtëzakonshme”.

 

 

Të prekurit më rëndë u dërguan në spitalin e Negrar, Borgo Trento e Borgo Roma.

 

Të tjerë u dërguan në qendra mjekësore, sipas mediave lokale, të cilat shtonin se katër notarë ishin prekur më rëndë nga gazi toksik.

 

Disa burime thonin se ngjarja ndodhi nga keqllogaritja e klorit për dezinfektimin e pishinës, por pa shpjeguar se përse kjo duhet të bëhej gjatë orëve të përdorimit publik të pishinës.

 

Kjo nuk është hera e parë që ndodhin helmime në institucionet publike këtë vit, pasi qindra vajza kanë mbetur të prekura nga “helmim i qëllimshëm” në shkollat në Iran.

 

Zv. Ministri i shëndetësisë në Iran, Younes Panahi, tha për gazetarët atje se disa individë tentonin të bënin shkollat e vajzave të mbyllen, duke përdorur elementë kimikë për helmimin, sipas rrjetit vendas Fars.