Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot se qeveria pranoi dështimin me lojërat e fatit.
Duke folur për projektligjin për rikthimin e lojërave të fatit, Tabaku tha se, me këtë projektligj qeveria pranoi dështimin e kontrollit të territorit dhe menaxhimin nga grupet kriminale të këtij sektori që fatkeqësisht ka dalë jashtë kontrollit.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shtoi se qeveria e ka të pamundur që të kontrollojë pastrimin e parave dhe uljen e burimeve informale të parave në këtë sektor.
Sipas saj, ligji prezanton po të njëjtën mënyrë të menaxhimit por nga ana tjetër e përqendron atë në pak duar.
“E ka të pamundur që të kontrollojë pastrimin e parave dhe uljen e burimeve informale të parave në këtë sektor. Që nga dhënia e licencave të kompanive deri tek kriteret e tjera, tek mënyra e përzgjedhjes, kanë treguar që në sektorë të tjerë kanë dështuar dhe këtë tendencë do ketë dhe këtu”, u shpreh Tabaku.
“Çdo iniciativë e tillë duhet të kishte një diskutim më të hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës. Prezantimi i këtij ligji është thjesht një shembull tjetër i kapjes së shtetit, thjesht një ligj tjetër i porositur”, përfundoi Tabaku./ata