Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i bëri apel institucioneve qendrore, vendore, shoqërisë civile dhe medias që të bashkohen në fushatën e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e viktimave të krimit.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Manja deklaroi se mbrojtja e viktimave ndaj dhunës është një detyrë qytetare. Ai kujtoi se nga data 15-22  shkurt do të jetë java e Mbrojtjes së Viktimave të Krimit në Shqipëri.

“Qeveria shqiptare ka miratuar të parën strategji ndërsektoriale për mbrojtjen e viktimave ndaj krimit. Kjo strategji, siguron një kuadër garantues për mbrojtjen e viktimave. Nga data 15 deri më 22 shkurt 2024, Ministria  e Drejtësisë organizon javën e Mbrojtjes së Viktimave në Shqipëri. Kjo nismë do të jetë e përvitshme”, bën të ditur Manja.

“Ftojmë të gjithë aktorët, përfaqësues të institucioneve qendrore, vendore, shoqërinë civile, mediet dhe komunitetin të bashkohen me NE në këtë fushatë ndërgjegjësimi”, vijon Manja.

“Mbrojtja e Viktimave të Krimit është një detyrë qytetare për një shoqëri të sigurtë”, përfundoi Manja./ata