Pas 11 vitesh në krye të Gardës së Republikës, Komandanti i Përgjithshëm Gramos Sako, është dorëhequr nga detyra. Burime i thanë Report Tv se dorëheqja e firmosur nga Sako ka mbërritur më zyrën e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, të premten,(2 shkurt 2024) i cili e ka pranuar dhe tashmë ka nisur punën për zëvendësimin e vendit të lënë vakant.

Shkaqet e këtij largimi të papritur mbeten të paqarta, dhe nuk dihet nëse është tërheqje nga shërbimi apo për ristrukturim i institucionit. Largimi i Gramos Sakos vjen në një moment kur Garda e Republikës ka hapur garën për zgjerimin e saj edhe me 70 punonjës të tjerë, duke e çuar totalin e organikës në 1505 efektivë.  

Kjo rritje u pa e udhës për shkak të shtimit të mbrojtjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm, ndikuar nga sulmet politike, presioneve dhe kërcënimeve të grupeve kriminale të muajve të fundit. Gramos Sako qëndronte në detyrë prej vitit 2013, një ndër drejtuesit më jetëgjatë të Gardës së Republikës, teksa më herët ka qenë pjesë e strukturës në të tjera role.

Javën e ardhshme pritet të bëhet emërimi i zëvendësuesit. Një prej emrave të lakuar, i cili mbetet akoma i pakonfirmuar zyrtarisht, është kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, apo ish-kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Emërimi i drejtorit të përgjithshëm të Gardës së Republikës bëhet nga Kryeministri dhe propozimi i emrit bëhet nga ministri Brendshëm dhe i jepet grada “Drejtues madhor”.

Kush është Gramos Sako?

Gramos Sako është lindur në Tepelenë, më 19 Janar 1971. Që prej vitit 2013 ushtron detyrën në funksionin e Komandantit të Gardës së Republikës. Ai ka një eksperiencë të gjatë e të larmishme në fushën ushtarake. Pas diplomimit në Akademinë e Forcave Tokësore “Skënderbej”, në vitin 1993 titullohet oficer. Eksperiencën e tij të punës e nisi duke kryer detyrën e Komandantit të Togës në Gardën e Republikës së Shqipërisë, e duke vijuar më pas me kryerjen e detyrave në funksione si: Zëvendës Komandant Kompanie, Përgjegjës i Grupit të Ruajtjes së Ministrit të Rendit Publik dhe Përgjegjës në Grupin e shoqërimit të Kryetarit të Kuvendit, Shef Seksioni në Drejtorinë e Ruajtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore dhe Specialist në Drejtorinë e Kufijve dhe të Migracionit.

Më tej, prej vitit 2009 e në vijim, zhvilloi karrierën në sektorin privat si menaxher projektesh. Gjatë karrierës profesionale, Gramos Sako ka kryer një sërë kualifikimesh e trajnimesh me drejtim kryesisht në fushën e rendit dhe sigurisë publike. Zotëron diplomë si “Specialist i lartë Policie” të lëshuar nga Akademia e Policisë “Arben Zylyftari” dhe diplomë në degën “E drejtë Penale” në ciklin e studimeve master shkencor në Universitetin “Ismail Qemali”. Po ashtu, është çertifikuar në kursin e zhvilluar nga SHBA për “Operacionet e Mbrojtjes”, trajnimin e zhvilluar nga Instituti Europian i Menaxhimit të Ligjit dhe Diplomacisë me tematikë “Gjuha e trupit dhe arti i negocimit”, e të tjerë.

Gjatë ushtrimit të karrierës në fushën e sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm i Gardës është vlerësuar në shumë raste për rezultate të arrira të punës por veçanërisht përmendet medalja e dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, “Për shërbime ushtarake” me dekret nr.3861, datë 23.6.2006. Në 4.4.2016, me dekretin nr. 9502 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, merr gradën “Gjeneral Garde”. Me hyrjen në fuqi të ligjit 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, Gramos Sako mban gradën “Drejtues Madhor”.