Të hënën, kryeministri hungarez Viktor Orban shtyu të gjitha angazhimet ndërkombëtare dhe anuloi fjalimin që duhej të mbante të mërkurën në Parlamentin Evropian për shkak të përmbytjeve në vend.
“Për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe përmbytjeve në Hungari, kam shtyrë të gjitha angazhimet ndërkombëtare”, tha Orban në X.
Të mërkurën në Strasburg, kryeministri hungarez është dashur të prezantojë programin e Presidencës hungareze të Këshillit të BE-së.
Pjesë të Evropës Lindore dhe Qendrore po përballen me përmbytjet që kanë lënë të vdekur 15 persona dhe dhjetëra mijëra të zhvendosur.
Reshjet ekstreme të shiut për shkak të stuhisë Boris kanë prekur Rumaninë, Republikën Çeke, Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë, Gjermaninë jugore dhe pjesë të Austrisë ditët e fundit.
Në Budapest, zyrtarët paralajmëruan se niveli i Danubit mund të rritet në më shumë se 8,5 metra në gjysmën e dytë të javës.
"Forcat hungareze të mbrojtjes po luajnë një rol kyç në përpjekjet për mbrojtjen nga përmbytjet, duke vendosur pajisje të ndryshme. Asgjë nuk është më e rëndësishme se siguria e popullit hungarez", tha Zoltan Kovacs, zëdhënësi i Orban.
Kryebashkiaku i Budapestit Gergely Karacsony vuri në dukje se, sipas parashikimeve, një nga përmbytjet më të mëdha në vitet e fundit po i afrohet Budapestit./TRT