Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e së martës shqyrtoi në cilësinë e komisionit përgjegjës projektligjin “Për Burimet Ujore”.
Të ftuar ishin zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit Almira Xhambulla, drejtoresha e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, Gerta Lubonja dhe drejtori i Menaxhimit Strategjik, Arduen Karagjozi.
Gjithashtu të ftuar ishin Arian Jaupllari, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Irfan Tarelli nga Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit në fushën e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ishte Gerta Ismailaja, përgjegjëse e sektorit të programeve të zhvillimit në fushën e ujësjellës kanalizimeve.
Në prezantim të këtij projektligji, zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhambulla u shpreh se ky projektligj është hartuar si pjesë e paketës ligjore, në kuadër të përafrimit të plotë të legjislacionit shqiptar në fushën e menaxhimit të burimeve ujore me acquis të Bashkimit Evropian në këtë fushë, nëpërmjet mbështetjes së projektit “Mbështetja e Bashkimit Evropian për menaxhimin e integruar të ujit në Shqipëri”, financuar nga BE-ja dhe ADA-ja.
Një nga komponentët e këtij projekti është “Përmirësimi i kuadrit ligjor në fushën e menaxhimit të burimeve ujore”.
“Projektligji ka si qëllim mbrojtjen e burimeve ujore nëpërmjet ruajtjes, zhvillimit dhe përdorimit racional të tyre, si një gjë e nevojshme për jetën dhe zhvillimin social-ekonomik të vendit”, theksoi Xhambulla.
Drejtoresha e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, Gerta Lubonja sqaroi para komisionit se, projektligji që diskutohet sot është shumë i rëndësishëm në sektorin e menaxhimit të burimeve ujore. Po ashtu, projektligji synon rregullimin e të gjitha çështjeve që lidhen me menaxhimin e burimeve ujore, si përcaktimin e organeve përgjegjëse, standardet e cilësisë mjedisore lidhur me ujërat, çështjet që lidhen me monitorimin e ujërave, si dhe rregullimin e çështjeve të lidhura me përdorimin e burimeve ujore me leje apo autorizim.
Relatorja e çështjes, Edona Bilali vuri në dukje se ky projektligj synon të përafrojë plotësisht direktivat e BE-së në fushën e ujit, duke vlerësuar se fusha e menaxhimit të ujërave është një nga fushat prioritare në kuadër të procesit të integrimit.
Mbledhja e komisionit vazhdoi me diskutime, pyetje dhe komente të ndryshme, dhe më pas anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim./ata