Sekretari për Programin dhe Sekretari i grupit parlamentar të PD, Arbi Agalliu deklaroi sot se, ekonomia shqiptare është në ditën e saj më të keqe në dekadën e fundit.

Sipas tij, “këtë e tregojnë qartë raportet që mbikëqyrin ekonominë tonë qofshin këto nga institucione kombëtare apo ndërkombëtare”.

Në daljen për mediet, Agalliu tha se rritja e vazhdueshme e çmimeve, shtrenjtimi i jetës dhe korrupsioni i kësaj administrate, rëndon sot më shumë se kurrë tek qytetarët e ndershëm të këtij vendi.

Veç të tjerash, shtoi Agalliu, “kjo ka bërë që Shqipëria të braktiset çdo ditë e më tepër duke krijuar kështu problem shumë të madh në fuqinë punëtore, aq më tepër atë të kualifikuar. Sot bizneset e vuajnë pafund mungesën e kapitalit human, jo vetëm në sektorin e shërbimit, por edhe në atë të përpunimit”.

“Nga 3.600.000 shqiptarë në 2007 sipas INSTAT, në 1 janar 2023 kemi 2.600.000 shqiptarë, pra 1.000.000 më pak. Por edhe më pak do të jenë sipas censit të fundit, rezultatet e të cilit ende nuk i bëjnë të ditura”.

“Sipas raporteve të Forumit Ekonomik Botëror, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka në prioritet përdorimin e teknologjisë për zhvillimin e kapitalit njerëzor, ndryshe nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja dhe Mali Zi që mendojnë të shfrytëzojnë revolucionin digjital për të aftësuar njerëzit dhe forcën e punës”, tha Agalliu.

Kjo, sipas tij vjen “sepse qeveria e ka të përqendruar filozofinë e saj tek patronazhimi dhe punësimi në administrate si mjet për blerje vote e jo të shohë mundësi zhvillimi e përmirësimi të kapitalit human në administratën publike. Ky është realiteti sot”.

Ai shtoi se, “e vetmja rrugë për të çuar vendin drejt degëve me produktivitet është investimi tek kapitali njerëzor, duke rritur investimet në arsim dhe shëndetësi”./ata