Kreu i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kandidat i PS-së për zgjedhjet e 14 majit, Erion Veliaj ka prezantuar disa nga projektet që do të realizohen në kryeqytet.

 

Veliaj renditi gjatë një interviste mbrëmjen e djeshme institucionet e reja, por dhe veprat ikonike  të së ardhmes duke i dhënë një impuls të ri zhvillimit të qytetit.

 

“Sapo kemi filluar punimet për TEDA  Tirana , zona e lirë ekonomike ku ka kompani nga Izraeli, Amerika, Britania e Madhe, Italia për atë që do jetë një hapësirë dixhitale për qendrat e të dhënave. Do punojnë 7000 njerëz. Muzeu i Artit Modern tek bulevardi i ri. Ka nevojë Tirana për një galeri ekstra. Është vetëm një propozim i Selman Stermasit, do shohim të gjithë propozimet”, tha ai.

 

Veliaj u shpreh se për të gjithë ata që janë të shqetësuar për trashëgimin, Bashkia e Tiranës i ka blerë Sarajet.

 

Ai shton se është një investim që pas Pazarit të Ri dhe Kalasë është i treti në radhë për të mbajtur një hapësirë të vjetër.

 

“Qendra e Panaireve. Sapo bëmë një konkurs kanë dalë dy finalistë. Është tek kryqëzimi i dytë majtas i bulevardit të ri. Kompleks Universitar në qytetin Studenti. Pasi mbaruam 8 godinat tek UBT, Inxhinieri e Mjekësi na kanë ardhur projektet e finalizuara për kompleksin universitar. Do vijnë edhe një pjesë e fakulteteve. Pallati i ri i Sportit Asllan Rusi. Është vetëm, një foto ilustruese që sot nuk mund të vazhdojë tek ai hangari tek Fusha e Aviacionit. Kopshti Botanik do nisë pa asnjë hezitim. Unë besoj që me provën e kopshti zoologjik e kaluam testin. Qendra e Konventave dhe Ekspozitave ka të bëjë me një Pallat të Ri të Kongreseve. Sot është ezauruar kapaciteti. Kongrese, konvente, panaire. Këtu bëhet fjalë për një kapacitet mbi 5 mijë spektatorë . LIDO-ose projekti fundor i bulevardit. Kemi përfunduar me sukses negociatën me qeverinë e Katarit për të financuar dhe praktikisht aksi kryesor. Kjo është gjëja më e bukur. Gjykata e Lartë do transferohet te kryqëzimi i parë i bulevardit të ri ”, tha Veliaj.