Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Dubai ku mori pjesë në panelin e Samitit Botëror të Qeverisjes mbi rolin e teknologjisë në adresimin e sfidave aktuale me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.

Duke folur për rolin e teknologjisë në procesin drejt Bashkimit Evropian, Rama u shpreh se, “ky është një shembull tjetër sesi teknologjia mund të jetë bekim i vendeve që kanë mbetur pas dhe sesi teknologjia mund t’i bëjë këto vende që janë më mbrapa të bëjnë gjëra që pa teknologjinë t’i bënin e madje edhe t’ua kalojën atyre vendeve, të cilat janë shumë përpara tyre”.

“Për të hyrë në BE teknikisht na duhet të transpozojmë të gjithë të ashtuquajturin korpus të legjislacionit të BE-së. Janë më shumë se 4 mijë akte ligjore dhe nënligjore që duhet të transferohen. Tradicionalisht kjo ka nënkuptuar për vendet përpara nesh një armatë shpërthyesish, hartuesisht, një armatë certifikuesish dhe minimalisht, në rastin e Kroacisë, që ishte shumë e suksesshme iu deshën 7 vjet për të bërë vetëm këtë transpozim letrash, është një mal me letra”, u shpreh Rama.

“Për fat të mirë, një prej figurave më të shquara të Open IA dhe Chat GPT është një zonjë shqiptare. E telefonova në momentin që Chat GPT sapo u shfaq dhe e pyeta mund ta ndihmosh Shqipërinë të hyjë më shpejt në BE? Ajo mendoi se po bëja shaka. I thashë jo. A mund ta përdorim këtë për të bërë transpozimin? Ajo më tha, me interes, le ta provojmë. Testet tona po na tregojnë që mund ta bëjmë në formën aktuale të teknologjisë së zhvilluar për 2 vjet. Por duke parë sesa po përmirësohet teknologjia muaj pas muaji, jam i bindur se koha mund të shkurtohet. Pra ka të bëjë me ndryshimin që është e pamundur edhe të parafytyrojmë se deri ku mund të shkojmë sa i takon mbërritjes me shpejtësi në stacionet të cilat do të kishin kërkuar breza e breza të tërë që ne t’i arrinim”, tha Rama./ata