Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Dubai ku mori pjesë në panelin e Samitit Botëror të Qeverisjes mbi rolin e teknologjisë në adresimin e sfidave aktuale me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.

I pyetur se ku do të donte që Shqipëria në mënyrë ideale të ishte për 5 vitet e ardhshme me ndihmën e teknologjisë, Rama u shpreh se, “në skenarin ideal për pesë vite do të doja që Shqipëria të ishte një vend, i cili sillet dhe punon si vend anëtar i BE-së. Pastaj në do të jetë ajo zyrtarisht pjesë e BE-së nuk është vendimi ynë”.

Rama u shpreh gjithashtu se, teknologjia nuk do të bëjë kurrë natyrën e Shqipërisë.

“Dua të them diçka që ka të bëjë me teknologjinë por edhe jo me të. Po flisnim edhe përpara rreth faktit ku do të shkojë kjo teknologji e çfarë do të ndodhë, por për një gjë që nuk e di nëse jam i sigurt që teknologjia nuk do ta bëjë dot kurrë, janë dielli, lumenjtë, luginat, plazhet e mrekullueshme, malet, liqenet fantastike dhe qytetarët mjaft mikpritës të Shqipërisë. Dua t’u them të gjithëve këtu që ejani në Shqipëri dhe në atë mjedis do të keni mendime më të mira se si teknologjia mund të përplotësojë bekimin nga Zoti të një vendi që është mallkuar shumë nga historia”, tha Rama./ata