Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një takim elektoral me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë,” për Bashkinë Malësi e Madhe, Isa Ramaj.

 

Gjatë fjalës së tij, Berisha kërkoi votën e çdo malësori për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

 

“Sot, ne vijmë para jush për të kërkuar votën e çdo malësori, çdo malësoreje, atdhetar, patriot, punëtor. Por vijmë gjithashtu krenar me ju dhe ballëhapur para jush, sepse ne vijmë për të paraqitur Isa Ramën, kandidatin tuaj, njërin prej jush, i cili dallon shumë nga Tonini, jo se Tonini nuk është i kësaj treve, por problemi është se Tonini dhe të gjithë si Tonini nuk janë më të qytetarëve, janë të Edi Ramës, janë kandidatë të qeveritarëve. Do ju jap një shembull: në parlament ju keni Ramadan Likën përfaqësues. Ramadan Lika, në parlamentin e vendit, pikërisht se ka ndjerë përgjegjësitë para jush, është bërë një avokat i pamposhtur i interesave të malësorëve të Malësisë së Madhe. Më thoni pak, sa herë e keni dëgjuar Paulinin të çelë gojën për Malësinë e Madhe. Ja ku është këtu zonja Greta Bardeli. Në mënyrë të vazhdueshme ka ngritur në parlament problemet e qarkut të Shkodrës. Po kështu Zef Hila. Sa herë e keni dëgjuar Benet Becin të flasë një fjalë për Shkodrën në dy vite? Asnjëherë! I solla këto shembuj për të thënë se ndryshimi është shumë i madh, se këta janë qeveritarët tuaj. Ata janë të qytetarëve dhe do mbeten të qytetarëve. Ky është ndryshimi esencial që duam të sjellim më 14 Maj. Unë e di që Malësia e ka marrë vendimin e saj dhe Tonini bashkë me toninët e tjerë do shkojnë me Edi Ramën atje ku e meritojnë. Lutja ime është të mbledhim çdo votë në çdo skaj të kësaj malësie”-tha Berisha.

 

Berisha po ashtu akuzoi Ramën se është i pari qeveritar që u thotë qytetarëve mos dilni në votime.

 

“Edi Rama është qeveritari i parë që i thotë qytetarëve mos dilni në votime. Ky ka frikë dhe tmerr nga vota juaj. Kjo tregon se ai është i pashpresë. Ndaj dhe ne duhet të votojmë të gjithë ndryshimin, të votojmë Isa Ramën, të votojmë 1-shin, se kemi votuar liritë tona!”-tha Berisha.