Nënkryetari i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi sot se do të dorëzojnë një tjetër padi në Gjykatën Kushtetuese për Portin e Durrësit.

Bylykbashi tha se “Porti i Durrësit është simbol i zhvillimit urban, qytetar dhe historik. Është pika kryesore e komunikimit detar në histori, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkanin Perëndimor, si një pikë tranziti mes Perëndimit dhe Lindjes. Si port detar, ai ka lidhur vendin në historinë e tij me të gjitha kulturat dhe aktualisht sot është 90 % e transportit detar që kalon nga Porti i Durrësit dhe 54 % e tregtisë ndërkombëtare që bën Shqipëria, kalon nga ky port”.

Bylykbashi tha se “PD ka përgatitur padinë e dytë për në Gjykatën Kushtetuese, me firmat e deputetëve të opozitës, për ta sfiduar sërish këtë çështje për shkeljet e rënda kushtetuese që janë bërë. Gjithashtu do bëjmë kallëzim penal në SPAK për këtë aferë ku personat përgjegjës, duke filluar nga Rama, duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Sipas tij, marrëveshja për ndërtimin e Portit të Jahteve në Durrës, është një ndër aferat më të mëdha korruptive të qeverisë.

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar më herët padinë për Portin e Durrësit, të bërë nga 37 deputetë të Partisë Demokratike.

“Gjykata Kushtetuese duke vendosur një precedent jo në interesin e shqiptarëve, por në interesin e Edi Ramës, e rrëzoi duke pretenduar se padia ishte bërë jashtë afatit kur duhej paraqitur”, u shpreh Bylykbashi./ata