SHBA-ja ka dhënë përgjigje ndaj sulmit të kryer me raketa kundër bazës së saj nga grupet me mbështetje iraniane në pjesën perëndimore të lumit Eufrat në Siri.

Sipas informacioneve të siguruara nga burimet lokale, grupet me mbështetje iraniane të pozicionuar në qytezën Mayadin kryen të paktën 3 sulme me raketa ndaj bazës në fushën e naftës Al-Omar ku forcat amerikane janë të pozicionuara në rajonin që ndodhet nën pushtimin e PKK/YPG-së.

Forcat amerikane dhanë përgjigje ndaj sulmit me armë tokë-tokë ndaj pozicioneve të grupeve me mbështetje iraniane rreth 25 kilometra larg. Nga SHBA-ja ende nuk është bërë ndonjë deklaratë lidhur me sulmin.

Bazat e ushtrisë së SHBA-së në Al-Hasakah dhe Deir Ez-Zor, që nga fillimi i vitit janë shënjestruar shpesh me raketa dhe mjete ajrore pa pilot (dronë) me origjinë të panjohur.

Territoret në Deir Ez-Zor në lindje të lumit Eufrat janë nën pushtimin e organizatës terroriste PKK/YPG të mbështetur nga SHBA-ja ndërsa qendrat e qyteteve dhe rajonet tjera periferike nën kontrollin e regjimit të Bashar al-Asadit dhe grupeve me mbështetje iraniane./aa