Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.

Siç njofton Zyra e Presidentes, në këtë takim është diskutuar për forcimin e mëtejshëm të aleancës së Kosovës me SHBA-në, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t’i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës, duke shtruar nevojën e dialogut strategjik me SHBA-në, si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit.

Në këtë kontekst, Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke potencuar se një Kosovë e integruar në Aleancën Veri-Atlantike jo vetëm që forcon sigurinë e vendit, por kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit.

Në takimin me Kasanof, presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë./aa