Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) dënoi sulmet e ushtrisë izraelite kundër qytetit Rafah në Rripin e Gazës.
Në një deklaratë me shkrim OBI reagoi ndaj sulmeve të kryera nga Izraeli kundër qytetit Rafah në jug të Gazës ku janë strehuar rreth 1.5 milion palestinezë.
Si pasojë e sulmeve ndaj Rafah, Izraeli ka vrarë dhe plagosur qindra palestinezë shumica fëmijë dhe gra, rikujtohet në deklaratën në të cilën thuhet se sulmet në fjalë janë kryer duke injoruar paralajmërimet e komunitetit ndërkombëtar.
Sulmet ndaj qytetit Rafah në deklaratë cilësohen si vazhdim i krimit të gjenocidit dhe thellim i dhimbjeve të njerëzve në Rripin e Gazës, ndërsa theksohet se kjo është një përpjekje e papranueshme për të dëbuar popullin palestinez.
Praktika e Izraelit në Rripin e Gazës është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se "Izraeli duhet të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocidin", thuhet në deklaratën në të cilën dënohen edhe ngjarjet e dhunshme që Izraeli zbaton ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor në pushtim.
Në deklaratë i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar, kryesisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të marrë përgjegjësitë për të ndalur sulmet e Izraelit dhe për dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës./aa