Kontingjenti IV i Forcës Detare u kthye në atdhe pas patrullimit 3-mujor në detin Egje, si pjesë e misionit të NATO-s Sea Guardian.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ndau sot foto nga mbërritja e Kontigjentit IV, teksa u shpreh se ata ia dorëzuan detyrën ekuipazhit të anijes Oriku.
“Anija Lissus dhe ekuipazhi i saj ia dorëzuan detyrën kolegëve të tyre të anijes Oriku, të cilët do të vijojnë kontributin për sigurinë e ujërave të Aleancës”, theksoi ministri Peleshi.
Kontingjenti IV, pjesëmarrës në operacionin “Sea Guardian” në detin Egje me efektivin e anijes “Lissus” P-133, gjatë qëndrimit në mision kreu disa operacione duke identifikuar dhe shpëtuar një numër të lartë emigrantësh.
Komandanti i Forcës Detare/Rojës Bregdetare kundëradmiral Adnand Agastra shprehu mirënjohje për përkushtimin e treguar gjatë kohës së qëndrimit në zonën e operacionit dhe përmbushjen me sukses të misionit.
Roli i efektivëve dhe anijes shqiptare në këtë operacion është raportimi i trafikut të emigrantëve në zonën operacionale dhe ndërhyrja duke ofruar ndihmë në rastet kur konstatohet se jetët njerëzore janë në rrezik.