Festa e të dashuruarve ka sjellë atmosferë të bukur në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.

Dekori i veçantë me zemrat e kuqe kudo fton qytetarët dhe vizitorët, që të shkrepin fotot  më të bukura pranë instalacioneve me temë dashurinë.

Fotografët e ATSH-së kanë fiksuar në aparatet e tyre momente nga kjo festë, e cila pas viteve ’90 u popullarizua edhe në Shqipëri.

Të rinj me lule në duar dhe të buzëqeshur shëtisin në rrugët e kryeqytetit dhe Liqenin Artificial të Tiranës, për të festuar dashurinë e tyre.

Dita e Shën Valentinit u ofron të dashuruarve shumë mënyra për të shprehur emocionet e tyre. Në të gjithë botën festojnë ditën e Shën Valentinit duke treguar vlerësim për njerëzit që duan. Disa njerëz ftojnë të dashurit e tyre për një darkë romantike në një restorant ndërsa të tjerët mund të zgjedhin këtë ditë për t’i propozuar për martesë. Shumë njerëz u japin partnerëve ose admiruesve të tyre buqeta me lule, kartolina urimi, çokollata, bizhuteri, por shumica dhurojnë lule.

Shën Valentini u bë mbrojtës i të dashuruarve pasi celebroi një martesë mes një legjionari pagan dhe një vajze të krishterë. Thuhet se dëgjoi një çift të rinjsh duke u grindur dhe u dha të shtrëngonin në dorë një trëndafil, por duke u përpjekur të mos shpoheshin nga gjembat. Pas kësaj, të rinjtë i kërkuan që Ipeshkv Valentini t’i lidhte në martesë.

Pas kësaj ngjarjeje, çiftet e të dashuruarve filluan të shkonin në Terni, ditën e 14 shkurtit që Shën Valentini të bekonte lidhjen e tyre./ata