Botohet në italisht, me titullin “La guerra di Scutari – da un manoscritto sconosciuto di Marino Barlezio” (“Lufta e Shkodrës – nga një dorëshkrim i panjohur i Marin Barletit”), dalë më parë në shqip, me titullin “Barleti i hershëm”, sipas një dorëshkrimi të panjohur të Marin Barletit.
Akademia e Shkencave bën me dije se mundësoi daljen në dritë të kësaj vepre edhe në gjuhën italiane, nismë dhe projekt i “Njësisë së kërkim-studimit për arbëreshët, arvanitët dhe arbneshët” që funksionon pranë saj dhe kryesohet nga akademikët Francesco Altimari e Matteo Mandalà.
Dorëshkrimi i panjohur i Barletit (variant i mëhershëm se teksti që përmban vepra “Rrethimi i Shkodrës”), u zbulua nga prof. dr. Aurel Plasari në Bibliotekën e Parisit. Studimi hyrës u realizua nga prof. dr. Lucia Nadin. Botimi i plotë, që përfshin edhe riprodhimin anastatik të dorëshkrimit, përveç përkujdesjes kritike-filologjike, u përgatit nga dy autorët Nadin e Plasari. Po ashtu dhe pajisja me shenjime të natyrës historiografike, gjuhësore dhe kulturore.
Parathënia është shkruar nga Matteo Mandalà dhe ent botues në Itali është e mirënjohura “Viella”.
Me botimin e këtij dorëshkrimi autograf të Marin Barletit zgjidhet përfundimisht problemi i autorësisë së veprës “Rrethimi i Shkodrës”, çështje e hapur dhe e mbetur pezull në diskutime shkencore albanologjike prej më shumë se një shekulli.
Botimi kontribuon për zgjerimin e bibliografisë së literaturës për Shqipërinë dhe shqiptarët në bibliotekat dhe burimet albanologjike europiane. Shekujt e humanizmit europian dhe të qendresës antiosmane në këtë anë të Adriatikut gjejnë një tjetër referencë të re themelore./ata