Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë vijon të tërheqë një numër të lartë vizitorësh të huaj.

Në këtë fillimviti qyteti i Krujës ka filluar të vizitohet nga grupet e organizuara të turistëve, të cilët vijnë kryesisht nga Kina.

“Nga janari deri në mesin e shkurtit, muzeun e kanë vizituar mbi 500 turistë nga Kina”, bën të ditur për ATSH-në drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi.

Sipas tij, përveç turistëve nga Kina, muzeun e kanë vizituar edhe turistë italianë, spanjollë  etj.

Në muajin janar Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e vizituan 15 operatorë turistikë nga Kina, pjesë e një FAM Trip, organizuar nga Landways International.

Përfaqësuesit e kompanive kineze shprehën interes dhe optimizëm për rritjen e numrit të turistëve nga ky vend në Ballkan dhe Shqipëri.

Nga janari deri në dhjetor të 2023 Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u vizitua nga 110,162 vizitorë, ku 50% ishin vizitorë të huaj, 30% vendas dhe 20% nxënës dhe studentë”.

Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë./ata