Kryeministri Edi Rama ndau foto sot nga Tirana e zbukuruar me rastin e 14 shkurtit, Festës së Shën Valentinit, Ditës së të Dashuruarve.

14 shkurti ka qenë gjithmonë më i veçantë se çdo ditë tjetër e të njëjtit muaj. Pothuajse të gjithë, e njohin Ditën e Shën Valentinit si një festë për dashurinë.

Edhe Tirana dhuron plot dashuri. Rrugët e kryeqytetit janë mbushur me zemra të kuqe, simbol i dashurisë, për të dhuruar një atmosferë të ngrohtë në këtë ditë të veçantë.

14 shkurti është dita që në kalendarin e krishterë i kushtohet Shën Valentinit, martir e shenjtor. Shën Valentini lindi në vitin 176 dhe pasi mbushi të 20-at u bë ipeshkv i Ternit. E vranë në moshën 97-vjeçare dhe disa shekuj më vonë e shpallën shenjtor.

Gjatë gjithë jetës Shën Valentini predikonte për dashurinë mes gjithë gjallesave, por pas vdekjes figura e tij u lidh me dashurinë mes burrit e gruas, një mënyrë kjo për të zëvendësuar ditët e një feste pagane të cilën romakët e festonin nga 13 deri në 15 shkurt. Kisha katolike zgjodhi datën 14 për të tërhequr vëmendjen e njerëzve drejt krishtërimit, ashtu siç ka ndodhur me përzgjedhjen e shumë datave të tjera të festave që tashmë njihen si të krishtera.

Legjenda thotë se Shën Valentini u bë mbrojtës i të dashuruarve pasi celebroi një martesë mes një legjionari pagan dhe një vajze të krishterë. Thuhet se dëgjoi një çift të rinjsh duke u grindur dhe u dha të shtrëngonin në dorë një trëndafil, por duke u përpjekur të mos shpoheshin nga gjembat. Pas kësaj, të rinjtë i kërkuan që ipeshkv Valentini t’i lidhte në martesë.

Pas kësaj ngjarjeje, çiftet e të dashuruarve filluan të shkonin në Terni, ditën e 14 shkurtit që Shën Valentini të bekonte lidhjen e tyre./ata