Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ndërsa ndodhet në Hagë, zhvilloi takim me Karim A.A.Khan KC, prokurorin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Prokurori Karim A.A.Khan KC dhe skuadra e tij ka hetuar autorët e krimeve të rënda ndërkombëtare në katër kontinente të veshur me pushtet, përfshirë së fundmi dhe agresionin rus në Ukrainë.

Sipas Manjës, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë punën e skuadrës së drejtuar nga Karim A.A.Khan KC.

“Takim me Karim A.A.Khan KC, Prokurorin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe një mik i çmuar i Shqipërisë, që të mbush me energji pozitive dhe si ish-prokuror të bën të ndihesh krenar”, shkruan Manja.

“E takova sot në Hagë, aty ku ai drejton një ekip të shkëlqyer prokurorësh, të cilët i kanë dalë për zot të hetojnë autorët e krimeve të rënda ndërkombëtare në katër kontinente të veshur me pushtet, përfshirë së fundmi dhe agresionin rus në Ukrainë”, bën të ditur Manja.

“Shqipëria si një anëtare e hershme që ka nënshkruar statutin e Romës, do të vazhdojë të mbështesë punën e skuadrës së drejtuar nga Karim A.A.Khan KC dhe me nënshkrimin e konventës së Lubjanë- Hagë sot plotëson një detyrim të rëndësishëm që buron nga ky statut, sa i takon drejtësisë ndërkombëtare penale”, përfundoi Manja./ata