Kryeministri Edi Rama deklaroi se marrëdhënia e Shqipërisë me SHBA tashmë nuk është vetëm në fushën e sigurisë, por edhe në atë të bashkëpunimit ekonomik.
Në një intervistë për mediet e Kosovës, Rama u shpreh se ka interesim në rritje të kompanive amerikane që kërkojnë të investojnë në Shqipëri.
“Marrëdhënia me SHBA-në është bërë disadimensionale. Nuk jemi në një marrëdhënie që është thjesht në fushën e sigurisë. Jemi në një marrëdhënie të shtrirë në fushën e bashkëpunimit ekonomik, si dhe përpjekjen e përbashkët kundër ndryshimeve klimatike. Qëllimi i përbashkët për të nxitur fuqizimin dhe rritjen e burimeve të energjisë së pastër”, tha ai.
Kryeministri theksoi se “në këtë aspekt, sigurisht që jemi optimistë për faktin që shohim një interesim në rritje të kompanive amerikane për të gjetur hapësirën e tyre jo thjesht në Shqipëri, por edhe në rajon”.
“Kjo është një arsye më shumë për të besuar se Shqipëria 2030 do të ngjitet në atë majën ku ne kemi detyrë të kalojmë stafetën”, tha Kryeministri.
Ai theksoi se sa më shumë të konsolidohet drejtësia në vend, aq më shumë rritet edhe besimi i investitorëve të huaj mbi sigurinë juridike.
“Shqipëria nuk ka qenë një vend i vështirë për investitorët e huaj nga kjo pikëpamje. Por sa më shumë të konsolidohet drejtësia, aq më shumë fuqizohet besimi i investitorëve të huaj dhe tkurret imazhi apo perceptimi i një vendi ku nuk ka siguri juridike”, shtoi Rama./ata