Rritja mesatare e çmimeve të apartamenteve në Tiranë në 6-mujorin e parë të 2022 është e njëjtë me shtrenjtimin e pronave në Podgoricë të Malit të Zi referuar analizave të tregut nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore malazese.

 

Sipas analizës së departamentit të kërkimeve në Bankën e Shqipërisë çmimet mesatare të apartamenteve në Tiranë për 2022 arritën në nivelin e 1,175 euro për metër katror. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021 rritja e çmimeve mesatare është 15,6% dhe për zonat e brendshme 18,3%.

 

Madhësia e kampionit përbëhet nga 30,467 njoftime, që u referohen vetëm banesave, pa përfshirë në analizë pronat për qëllime tregtare.

 

Rritja mesatare e çmimeve të apartamenteve në Tiranë është e njëjtë me ndryshimin mesatar të çmimeve të kryeqytetit të Malit të Zi, Podgoricës.

 

Sipas analizës së tregut të pasurive të paluajtshme në raportin makroekonomik të bankës Qendrore të Malit të Zi, çmimi mesatar i apartamenteve në Podgoricë arriti në 1,248 euro për metër katror. Krahasuar me 6 mujorin e parë të 2021 rritja e çmimeve në Podgoricë është 15,7%, në të njëjtat nivele sa në Tiranë.

 

Ndërsa në Malin e Zi madhësia e kampionit është prej 58,295 apartamente e ndarë në tre lokacione. Referuar të dhënave të analizës së Bankës Qendrore në Podgoricë për gjysmën e parë të vitit 2022 çmimi mesatar më i lartë i apartamenteve ishte në zonën e parë dhe arriti në 1,449 euro për metër katror.

 

Në zonën e dytë dhe të tretë, çmimet për metër katror ishin më të ulëta dhe arritën përkatësisht në 1,249 euro dhe 1,140 euro për metër katror.

 

Në raport theksohet se çmimi individual i banesave varionte ndërmjet çmimeve 3,000 euro për metër katror për pronat në qendër dhe 555 euro për metër katror pronat në periferi.

 

Krahasuar me çmimet individuale të pronave në Tiranë periferia shqiptare është shumë herë më e shtrenjtë se ajo e Malit të Zi.

 

Në zonat periferike të Tiranës siç është Fresku, Astiri apo Yzberishti çmimet e apartamenteve referuar të dhënave të agjencive imobiliare përkatësisht kanë arritur në vlerën e 800, 900 dhe 1,000 eurove për metër katror (1,000-1,1000 euro për metër katror është çmimi i apartamenteve në ndërtime të reja në Yzberisht).

 

Ndërsa në ndërtimet e reja si zona e ish Bllokut çmimet e apartamenteve ofrohen me 3,500 euro për metër katror.

 

Agjentët imobiliarë parashikojnë që për një periudhë afatshkurtër nuk pritet të kenë rritje të çmimeve në zonat periferike, duke përjashtuar qendrën, ku ndërtimet e reja që do të përfundojnë pritet të jenë me çmime më të larta se vitin e kaluar. /Monitor