Seanca plenare e Kuvendit ku pritej interpelanca e Kryeministrit Edi Rama kërkuar nga deputetët e opozitës u bllokua sërish nga deputetët mbështetës të Rithemelimit.

Ata përdorën zhurmues dhe bllokuan hapësirën përpara foltores së Kuvendit duke mos lejuar seancë normale.

Deputetë të opozitës u rreshtuan përpara foltores me pankarta, ndërkohë që garda qëndroi pas deputetëve.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla i ka bërë thirrje deputetëve të largohen nga foltorja dhe që seanca të zhvillohet normalisht.

“Mos vijoni me çorodinë”, tha Nikolla, ndërsa iu drejtua gardës të largohej.

Deputetë të opozitës kërkuan që interpelanca me Kryeministrin Edi Rama të kryhej në praninë e tij dhe të mos delegohej tek ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

“Më vjen keq që u tërhoqët nga interpelanca me zonjën Spiropali. Ju njoftoj që kryeministri ndodhet në Bruksl dhe vjen në mesditë për takimin me Sekretarin e shtetit, zotin Blinken”, tha Nikolla.

Seanca në mungesë të normalitetit, vijoi me votimin e rendit të ditës./ata