Enti Rregullator i Energjisë, ditën e enjte, mblodhi në një takim të gjithë të licencuarit aktive në aktivitetin e furnizimit, me qëllim njohjen me platformën e krahasimit të çmimeve të shitjes së energjisë elektrike (PCT).

PCT është platforma e prokuruar nga ERE dhe shërben për krahasimin e çmimit të energjisë elektrike të ofruar në tregun e lirë nga furnizuesit e licencuar.

Nëpërmjet përzgjedhjes së profilit të konsumatorit si dhe ofertave të furnizuesve, mund të garantohet informacioni i nevojshëm i konsumatorit për furnizimin në treg të lirë.

ERE prezantoi për pjesëmarrësit, modalitetet e përdorimit të kësaj platforme nga furnizuesit, me qëllim lehtësimin e punës në operimin e saj, duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm drejt promovimit të një tregu konkurrues e alternativ të çmimeve të furnizimit me energji elektrike, për të gjithë ata konsumatorë të cilët kanë plotësuar kriteret ligjore të daljes në treg të lirë.

PCT, me lançimin e saj, do të jetë nje vitrinë për publikimin e ofertave të furnizimit me energji elektrike nga furnizuesit në treg të lirë, dhe një mjet praktik për vlerësimin e çmimeve nga ana e konsumatorit për të mundësuar përzgjedhjen e furnizuesit nga ana e tij./ata