Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi sot takimin përmbyllës “Shqipëria në Këshillin e Sigurimit, kontribut për paqen dhe sigurinë globale gjatë kohërave më sfiduese”.

Ky takim u zhvillua me rastin e mbarimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

Në fjalën e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh se, “Shërbimi ynë i jashtëm ka merituar respektin e brendshëm e të jashtëm për performancën e vet”.

“Realizuam me sukses një një nga detyrat më kërkuese në politikën e jashtme”, theksoi Hasani teksa shprehu mirënjohje ndaj vendeve aleate me të cilat, u shpreh ai, “bashkuam përpjekjet në të mirë të paqes”.

“Punuam me vendosmëri për avancimin e axhendës së grave për paqe dhe siguri”, u shpreh Hasani, teksa shtoi se, “në qendër të përpjekjeve kishim respektimin e plotë të ligjit ndërkombëtar”

Hasani u shpreh se, mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit erdhi në një kohë shumë të vështirë për botën.

Duke folur për agresionin rus në Ukrainë, Hasani theksoi se, “Shqipëria në Këshillin e Sigurimit tregoi gatishmërinë për të kontribuuar”

“Si bashkëpenëmbajtës me SHBA mbi Ukrainën, mbrojtëm me forcë kauzën e lirisë”, tha Hasani, teksa shtoi se, “çdo përpjekje për paqe është investimi më i mirë për të ardhmen”

“Shqipëria e ka pasur këtë parasysh çdo ditë që ka shërbyer në Këshillin e Sigurimit”, nënvizoi Hasani./ata