Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letra urimi nga presidentë dhe kryeministra të vendeve të ndryshme me rastin e 16 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Siç njoftoi Zyra e Presidentes Osmani, ajo ka pranuar letra urimi nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, nga presidenti francez Emanuel Macron, presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier.

Në letrën e tij drejtuar Osmanit presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se Kosova gjendet para detyrave të mëdha.

“Vendi Juaj gjendet para detyrave të mëdha: Forcimi i sundimit të ligjit, sikurse edhe lufta kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar mbeten thelbësore për ta forcuar më tej ekonominë dhe përshpejtuar përafrimin me Bashkimin Evropian. Progresi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është gjithashtu vendimtar për të ardhmen e Kosovës dhe mbarë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Steinmeier.

Marrëveshja e Ohrit, e dakorduar më 2023, është aneks i zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, të arritur në shkurt të 2023-s.

Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka shprehur pritjet që javët e ardhshme të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Macroni ka thënë se shpreson që Kosova të marrë “vendimet e guximshme që janë të nevojshme dhe që do t’i mundësojnë të përparojë në trajektoren e saj evropiane”.

“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila në veçanti përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve”, thuhet në letrën e Macronit.

Ai ka shtuar se Kosova do të jetë brenda Bashkimit Evropian dhe ka inkurajuar që të vazhdohen reformat për forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjatë ditës presidentja Osmani pranoi letër urimi edhe nga presidenti amerikan, Joseph Biden./aa