Bashkimi Evropian dënoi rezolutën e fundit të parlamentit izraelit që kundërshton krijimin e një shteti palestinez, duke theksuar se zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt paqes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme.
"Ekziston një konsensus i fortë në komunitetin ndërkombëtar se e vetmja zgjidhje e qëndrueshme që do të sjellë paqe dhe siguri në Lindjen e Mesme është zgjidhja me dy shtete", tha blloku në një deklaratë me shkrim.
BE-ja ripohon angazhimin e saj për arritjen e paqes së qëndrueshme nëpërmjet një zgjidhjeje me dy shtete, siç përshkruhet nga rezolutat 2735, 2728, 2720 dhe 2712 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke siguruar që palestinezët dhe izraelitët të mund të jetojnë në siguri dhe dinjitet, vuri në dukje deklarata.
Blloku mban qëndrimin e tij për të mos njohur ndryshimet në kufijtë e vitit 1967, përveç nëse bihet dakord nga të dyja palët, theksohet më tej.
"Ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë aktive me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë drejt ringjalljes së një procesi politik për këtë qëllim", tha BE-ja.
"Një rrugë e besueshme drejt shtetësisë palestineze është komponent thelbësor i këtij procesi politik. Pa shpresë dhe pa horizont për popullin palestinez, vetëm sa do të thellohej konflikti", nënvizohej blloku evropian.
Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës që nga një sulm i 7 tetorit nga grupi i rezistencës palestineze, Hamas.
Më shumë se 38.800 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 89.400 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Mbi nëntë muaj pas fillimit të sulmeve izraelite, pjesë të gjera të Gazës qëndrojnë në gërmadha, krahas një bllokade paralizuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./AA