Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përshëndeti sot  Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa u shpreh se “dialogu i lehtësuar nga BE është rruga e vetme drejt paqes”.

“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është një ngjarje historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin shqiptar”, u shpreh ajo.

Sipas Nikollës, “liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i luftës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës, të mbështetura nga aleatët strategjikë të shqiptarëve, SHBA, BE dhe NATO”.

“Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kuvendi, institucionet e vendit dhe gjithë qytetarët janë në krah të popullit dhe institucioneve të Kosovës në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe integrimeve euroatlantike, të cilat arrihen në koordinim dhe me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj, SHBA dhe BE”, u shpreh Nikolla.

“Shqipëria mbështet integrimin e Kosovës në NATO, anëtarësimin në Këshillin e Europës dhe në Kartën e Adriatikut, A5. Me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së, aleatëve strategjik të kombit shqiptar, e ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE, është rruga e vetme drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, tha Nikolla./ata