Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimet në kabinetin qeveritar të Shqipërisë, në seancën e hapjes së sesionit ri të legjislaturës së dhjetë, ndërkohë seanca nisi me tensione.

Seanca e cila zgjati rreth 13 minuta nisi me tensione pasi deputetët e opozitës nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe deputetë të tjerë opozitarë jashtë grupeve parlamentare bllokuan foltoren, duke mos lejuar që Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, të mbajë një fjalim me rastin e nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Pas propozimeve të kryeministrit Edi Rama dhe pas dekreteve të Presidentit Begaj, ministri aktual të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete është emëruar në detyrën e ministrit të Financave.

 

Kuvendi ka votuar dekretin që Blendi Gonxhja të emërohet ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ministri e krijuar sipas propozimeve të fundit të kryeministrit Rama.

Gonxhja, ka mbajtur më parë postin e Drejtorit të Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë (DPSHTRR) dhe poste të tjera.

Rama ka propozuar edhe emërimin e një Ministri Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, duke propozuar në këtë post zv.ministren aktuale të Drejtësisë, Adea Pirdeni, ndërkohë edhe dekreti për emërimin e saj është miratuar në seancën e sotme.

Gjithashtu Kuvendi ka votuar edhe dekretin për shkarkimin nga detyra të ministres së Kulturës, Elva Margariti.

Ndërkohë, pas ceremonisë së betimit ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën.

Kujtojmë se seancat e Kuvendit të Shqipërisë në muajit e fundit të vitit të kaluar u përfshinë nga tensionet, pasi sipas deputetëve të opozitës nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen në Kuvend nismat dhe kërkesat e tyre./aa